Secondary Adv

Taksa e pasurisë, Financat: Banesa e parë me 50 për qind zbritje, do të përcaktohet me vetëdeklarim

Drafti i ri për taksimin e pasurive të paluajtshme parashikon lehtësim fiskal për banesën e parë. Sipas propozimit të Ministrisë së Financave, taksa për shtëpinë e parë do të llogaritet mbi 50% të vlerës së saj.



Ndërsa për shtëpitë e dytë apo të tretë të banimit nuk parashikohet zbritje të vlerës së shtëpisë. Banesa do të taksohet mbi vlerës e plotë. Po ashtu shkallë e taksës propozohet nga 0.1 deri në 0.2% të vlerës nga 0.05% që është në fuqi. Shkalla e taksës së propozuar për kategorinë e ndërtesave të banimit rritet nga 2 deri në 3 fish nga sa aplikohet.


Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë në Ministrinë e Financave ka sqaruar për Monitor se lehtësia fiskale për zbritjen e vlerës së banesës do të përfitohet vetëm për një banesë, pavarësisht numrit të pronave që një individ ka në pronësi ose posedim.


Por sipas Drejtorisë së Taksës së pasurisë, një individ që posedon disa prona ka të drejtë që nëpërmjet një formulari të duhet vetëdeklarojë banesën e parë, se për kë do të aplikohet zbritja.


Pra e thënë ndryshe nëse një individ banues i kryeqytetit, zotëron një apartament në Tiranë, edhe një tjetër pronë të paluajtshme në qytetin e Durrësit, atij i lind e drejtë të vetëdeklarojë si banesë të parë me qëllim përfitimin e lëhtësisë fiskale apartamentin në Durrës.


“Duhet mbajtur në konsideratë se zbritja mund të përfitohet vetëm për një banesë. Nëse individi zotëron vetëm një banesë, atëherë zbritja aplikohet automatikisht. Në rastet kur zotërohet më shumë se një banesë, individi duhet të vetëdeklarojë se cilën prej tyre do të konsiderojë si banesë e parë për efekt të përfitimit të kësaj norme të lehtësuar.


Projektligji parashikon që zbritja për banesën e parë të zbatohet vetëm për një banesë të individit, pavarësisht numrit të banesave që ai ka në pronësi ose posedim.


Nëse një individ zotëron ose posedon dy ose më shumë banesa, ai ka të drejtë të përfitojë zbritjen vetëm për banesën që deklaron si banesë të parë. Për banesat e tjera nuk zbatohet kjo lehtësi dhe taksa llogaritet mbi bazën e vlerës së tyre të plotë të taksueshme”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë.


Si do të llogaritet detyrimi për banesën e parë


Për taksimin e banesës së parë, formula e re përcakton zbritje 50% të vlerës së shtëpisë si të patatueshme. Por për zbritjen e 50% të vlerës si të patatueshme, te banesa e parë, për rrjedhojë që të paguhet gjysma e taksës, përcakton se do të përfitohet nëse vlera e shtëpisë (mbi të cilën do të llogaritet taksa) nuk kalon dyfishin e vlerës së pragut maksimal si të patatueshëm.


Në të kundërt nëse vlera e shtëpisë tejkalon dyfishin e vlerës së pragut të patatueshëm (kjo vlerë është e ndarë në 7 kategori sipas bashkive), zbritje të patatueshme përfiton vetëm pragun e përcaktuar në draft.


Pra e thënë më thjeshtë nëse vlera e shtëpisë do të jetë më e ulët sesa dyfishi i pragut të zbritjes, taksa do të llogaritet për 50% të vlerës. Nëse vlera e shtëpisë është mbi dyfishin e pragut të zbritjes, si vlerë të patatueshme qytetari do të përfitojë vetëm pragun e zbritjes. Pra në këtë rast nuk përfiton 50% të vlerës së shtëpisë, si të patatueshme.


P.sh, nëse një qytetar disponon në Tiranë, një pronë, si banesë të parë banimi me sipërfaqe 90 m2 në zonën kadastrale 10/1, ku çmimi aktual i referencës është 192,800 lekë për metër katror aktualisht ai paguan si detyrim për taksën e ndërtesës 8,676 lekë në vit.


Nëse shkalla e taksës do të përcaktohet 0.1%, ku qytetar do të paguajë 8,952 lekë në vit apo 296 lekë më shumë nga sa paguan aktualisht. Rritja 3%.


192,800×90 m2 =17,352,000 lekë (vlera e shtëpisë është mbi dyfishin e pragut të zbritjes. Në Tiranë vlera e këtij pragu është 8.4 mln lekë.x2 =16.8 mln lekë). Në këtë rast si zbritje do të aplikohet vetëm vlera e pragut, jo 50%.


17,352,000 lekë – 8,400,000 = 8,952,000 lekë vlerë e shtëpisë për taksim x 0.1% = 8,952 lekë në vit është detyrimi i ri që do të paguajë qytetari për taksën e ndërtesës.


Nëse taksa do të përcaktohet në shkallën 0.2% detyrimi do të dyfishohet nga sa paguan aktualisht. Detyrimi i ri do të jetë 17,352 lekë në vit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat